Results

logo logo logo

< Previous page

26/05/2021
SHBA mbajnë vendin e parë si aleati më i rëndësishëm për shqiptarët
in

SHBA mbajnë vendin e parë si aleati më i rëndësishëm për shqiptarët por ka diversitet edhe për vende të tjera që konsiderohen të rëndësishme.

IDRApoll.com, komuniteti online i anketimeve nga IDRA Research & Consulting në sondazhin e radhës ka pyetur rreth vendit i cili mund të konsiderohet si aleati më i rëndësishëm për shqiptarët.
Pyetja që u hodh në panel ishte: Sipas mendimit tuaj, cili nga vendet e mëposhtme mund të konsiderohet aleati MË I RËNDËSISHËM për shqiptarët?
(Lista e vendeve u paraqit në renditje alfabetike)

Kampioni i përftuar rezultoi N=1077 të anketuar, i peshuar në lidhje me urbanitetin, qarkun, gjininë dhe moshën në mënyrë që rezultatet të jenë përfaqësuese për moshën 18-44 vjeç. Toleranca e gabimit për këtë kampion është 3.1%.

Rezultatet tregojnë se rreth 48% e të anketuarëve janë të mendimit se SHBA është aleati më i rëndësishëm për shqiptarët. Diferenca me vendet e tjera e bën rëndësinë e SHBA-së 18.8% më të theksuar. Aleati i dytë më i rëndësishëm renditet Gjermania, e zgjedhur nga rreth 18% e të anketuarëve, pasuar nga Turqia nga rreth 15% e të anketuarëve.

Grafiku më poshtë liston edhe zgjedhjet për vendet e tjera të përfshira në këtë pyetje. Rreth 9% e të anketuarëve shprehen se Italia është aleati më i rëndësishëm i shqiptarëve e ndërsa 4% shprehin të njëjtën gjë për Mbretërinë e Bashkuar. Vende si Austria, Rusia, Kina, Greqia, Franca, etj., secila janë zgjedhur si aleatët më të rëndësishëm nga më pak se 2% e të anketuarëve.

Kur vlerësohen rezultatet sipas grup-moshës, vërehen diferenca në mendimin se kush nga vendet mund të konsiderohet aleati më i rëndësishëm. Të anketuarit e moshës 26-44 vjeç mendojnë më shumë se SHBA janë aleati më i rëndësishëm për shqiptarët (52% kundrejt 43% të moshës 18-25). Nga ana tjetër të rinjtë, mosha 18-25 vjeç, mendojnë më shumë si aleat të shqiptarëve Turqinë (17% kundrejt 13% të moshës 26-44 vjeç).

Rreth 54% e të anketuarëve gra mendojnë se aleati më i rëndësishëm për shqiptarët është SHBA, rreth 9% më shumë se burrat. Të anketuarit burra duket se janë më shumë të mendimit që aleatët më të rëndësishëm janë vendet si Turqia (Burra 16% kundrejt 13% gra) dhe Italia (Burra 12% kundrejt 6% gra). Ndërsa për Gjermaninë nuk vërehen diferenca në mendime midis burrave dhe grave, 18% mendojnë se Gjermania është aleati më i rëndësishëm për shqiptarët.

Në analizimin e rezultateve sipas zonës së banimit, urban apo rural, nuk vërehen diferenca të rëndësishme në përqindjen e të cilëve mendojnë se SHBA është aleati më i rëndësishëm për shqiptarët. Në të dy kategoritë SHBA renditet e para, përkatësisht 49% e të anketuarëve në zonave urbane dhe 47% e të anketuarëve në zonat rurale. Krahasuar me zonën urbane, të anketuarit në zonat rurale duket se janë më shumë të mendimit se aleati më i rëndësishëm për shqiptarët është Gjermania (20% Rural, kundrejt 16% Urban), Turqia (17% Rural, kundrejt 13% Urban). Ndërsa për Italinë rreth 6% e të anketuarëve nga zona rural mendojnë që është aleati më i rëndësishëm për shqiptarët, kundrejt 11% e të anketuarëve në zonat urbane që shprehin të njëjtin mendim.

 

© 2018 - 2021 IDRA Research & Consulting