Results

logo logo logo

< Previous page

19/07/2021
Cili është plani i shqiptarëve për pushimet e kësaj vere?
in

Është sërisht ajo periudhë e vitit kur të gjithë diskutojnë mbi pushimet verore.  Ndaj, ashtu si një vit më parë në panelin online të IDRApoll.com, u realizua sondazhi lidhur me pushimet e verës për shqiptarët.

Rezultatet e anketës, ku morën pjesë 875 persona, tregojnë se rreth 49% e qytetarëve shqiptarë po planifikojnë pushimet verore ose i kanë kryer ato tashmë. Në këtë grupim përfshihen ata qytetar të cilët pushimet po i mendojnë brenda vendit (37%), jashtë vendit (5%), ata që i kombinojnë pushimet brenda dhe jashtë vendit (6%) si dhe ata të cilët pushimet i kanë kryer tashmë (1%). Me fjalë të tjera, rreth 11% e familjeve shqiptare po konsiderojnë të bëjnë pushimet jashtë Shqipërisë. Ndërkohë për t’u nënvizuar është fakti se rreth 14% e publikut nuk ka vendosur ende mbi pushimet e kësaj vere.

Më tej, gjetjet e anketës nxjerrin në pah se rreth 37% e të intervistuarve nuk do të bëjnë pushime këtë verë. Arsyet e ndajnë këtë kategori të të anketuarve në dy grupe: ata që nuk do të bëjnë pushime të ndikuar kryesisht nga pamundësia ekonomike (23%) dhe ata që pengohen nga arsye me karakter pune, familjare e të tjera (14%).

Ndryshe nga një vit më parë, është për t’u theksuar se COVID-19 rezulton mos të jetë aspak pengesë për pushimet e verës, sipas të dhënave të anketës.

Pushimet e verës

Gjetjet e anketës aktuale mund të analizohen dhe në krahasim me anketën e realizuar nga IDRApoll një vit më parë. Kur bëhet ky krahasim mes dy anketave, rezultatet tregojnë se përgjithësisht familjet shqiptare janë më të prirura për të bërë pushime sot se sa para një viti. Bie në sy fakti që sot janë rreth 48% e familjeve që mendojnë të bëjnë pushime, kur kjo kategori ishte vetëm 36% një vit më parë.

Për më shumë, arsyet që i pengojnë shqiptarët për të bërë pushime rezultojnë të jenë përmendur më pak gjatë këtij vitit sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Konkretisht, pamundësia ekonomike për të bërë pushimet është reduktuar nga 29% e të anketuarve për 2020 në 23% për 2021; shqetësimi shëndetësor i lidhur me COVID-19 nga 8% në 0%, duke nënkuptuar se kjo arsye nuk i pengon më familjet shqiptare për të bërë pushimet e verës; arsye të tjera si ato të punës, familjes apo të tjera kanë rënë nga 22% në 14%. Nga ana tjetër, rreth 14% e familjeve sot nuk e kanë vendosur akoma për pushimet verore krahasuar me 3% të një viti më parë.

pushimet e verës

Nëse analizojmë ndryshimin e sjelljes brenda një viti, rezulton se ata që sot planifikojnë të bëjnë pushimet verore rreth 40% e tyre nuk planifikonin të bënin pushime një vit më parë për arsye të ndryshme. Thënë ndryshe, vetëm një në dy (51%) e atyre që sot planifikojnë të bëjnë pushime kishin një plan të tillë edhe para një viti.

pushimet e verës

Ky anketim është realizuar nëpërmjet një kampioni përfaqësues për moshën nga 18 deri në 54 vjeç. Pjesë e këtij sondazhi u bënë 875 të anketuar me anë të panelit të anketimeve online IDRApoll.com, në fund të muajit qershor 2021. Toleranca e gabimit për këtë anketim është 3.3% me një interval besueshmërie 95%.

 

© 2018 - 2021 IDRA Research & Consulting