Rezultatet

logo logo logo

< Faqja e mëparshme

30/06/2020
Cfarë mendojnë shqiptarët për reformën zgjedhore?
Në Rezultatet

Nën hijen e marrëveshjes mbi reformën zgjedhore, të dalë nga tryeza e Këshillit Politik, gjatë javës së shkuar IDRApoll.com, paneli i anketimeve online pjesë e kompanisë IDRA Research & Consulting realizoi një anketë lidhur me këtë temë. Individët e anketuar fillimisht përzgjodhën, sipas perceptimit të tyre, tre problemet kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri. Në listën e propozuar janë renditur problematikat kryesore të zgjedhjeve të evidentuara nga raporti i OSBE-ODHIR.

Rreth 77 % e të anketuarëve kanë zgjedhur “shit-blerjen e votës” si një nga tre problemet kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri, problem i dytë sipas perceptimit të të anketuarëve është “përfshirja e kandidatëve me të shkuar kriminale” (43% ) dhe i treti renditet “përdorimi i administratës publike gjatë fushatave elektorale dhe zgjedhjeve”. Më pak shqetësuese sipas të anketuarëve duket pamundësia e emigrantëve për të votuar apo diskriminimi gjinor në listat e kandidatëve.

Marrëveshja politike e arritur mes pozitës dhe opozitës jo-parlamentare duket se ka pikërisht qëllimin të adresojë problemet e mësipërme, por sa besim kanë qytetarët se këto probleme do të zgjidhen?  Për të matur këtë, në vijim të pyetsorit, të anketuarit janë pyetur nëse mendojnë se problemet e përzgjedhura prej tyre do të gjejnë zgjidhje nga marrëveshja e fundit.

Rreth 2/3 e të anketuarëve nuk mendojnë se problem i parë, pra ai i “shit- blerjes së votës” do të zgjidhet nga marrëveshja e fundit. Më optimistë duken për zgjidhjen që do sjellë kjo marrëveshje përsa i përket problematikës së dytë, asaj të “përfshirjes së kandidatëve me të shkuar kriminale”, më tepër se gjysma mendojnë se do të zgjidhet plotësisht ose pjesërisht ky problem. Ndërkohë në të gjitha problemet e tjera të përzgjedhura nga të anketuarit ka një shpërndarje uniforme të besimit mbi efektet e marrëveshjes, e cila varion nga 30-40%.

Të anketuarit në këtë sondazh janë pyetur edhe për një nga tematikat që po mban të hapur debatin e reformës, siç është ajo e modelit të listës së kandidatëve. Gati 74% e të anketuarëve preferojnë “listën e hapur” dhe vetëm 10 % e tyre janë dakord me “listat e mbyllura”, pra të vijohet me modelin aktual, pjesa tjetër (16%) nuk janë në gjendje të japin një opinion mbi këtë pikë.

Megjithatë, interesant ngelet fakti se si qytetarët e kuptojnë termin “listë e hapur” apo “listë e mbyllur”. Më tej, në përpjekje për të kuptuar këtë, qytetarëve ju ofrua të zgjedhin mes alternativave të ndryshme, mënyrën më të përafërt të kuptimit të tyre për termin “lista të hapura”. Rezultatet tregojnë se rreth 35% e tyre e mendojnë listën e hapur si një mundësi për të vendosur në fletën e votimit emrin e kandidatit që preferojnë. Nga ana tjetër, 26 % e tyre duket se e kanë kuptuar më mirë termin “lista të hapura”, duke shkuar tek alternativa “unë përzgjedh në fletën e votimit një nga kandidatët e propozuar nga partia/koalicioni”. Ndërsa 12 % e tyre e konsiderojnë “listën e hapur” si një mundësi për të renditur në fletë votimi kandidatët e propozuar nga partia/koalicioni dhe 6 % e kuptojnë “listën e hapur” si mundësi për të votuar për kandidatin e vetëm të propozuar nga partia/koalicioni në zonën e tyre zgjedhore.

Ky anketim është realizuar nëpërmjet një kampionimi përfaqësues kombëtar të përbërë nga 1014 të anketuar me anë të panelit të anketimeve online IDRApoll.com. Toleranca e gabimit për këtë anketim është 3.1% me një interval besueshmërie 95%.

 

© 2018 - 2020 IDRA Research & Consulting