Rezultatet

logo logo logo

< Faqja e mëparshme

19/02/2019
“Mijëvjeçarësit” – ndjesi e madhe “mospërfaqësimi” nga partitë aktuale shqiptare
Në Rezultatet

Në anketën e radhës të IDRAPOLL, anëtarët e panelit u pyetën në lidhje me ndjenjën e tyre të përfaqësimit nga partitë aktuale të skenës politike shqiptare si dhe sjelljen e tyre votuese sot. Në grafikun e mëposhtëm janë paraqitur vetëm moshat 18-45 vjeç që ndryshe do të mund të kategorizoheshin si “mijëvjeçarësit” (Millenials)*. “Mijëvjeçarësit” konsiderohen si Gjenerata Y, ata që kanë lindur midis viteve 1975 e deri në vitin 2000[1]. Bazuar në hulumtime të shumta në vendet e zhvilluara, janë përcaktuar disa karakteristika të këtij grupimi ndër më kryesoret e të cilave mund të përmendim:

  • Janë rritur dhe mësuar me një botë të rrjeteve sociale dhe të përdorimit të elektronikës.
  • Kanë pasur vëmendjen më të madhe të marketingut (të cdo lloji, si atij konsumator dhe atij politik).
  • Tentojnë të kenë nje vetbesim të madh krahasuar me gjeneraten e mëparshme.
  • Përgjithesisht kanë sjellje apolitike.

Pyetja drejtuar panelistëve të IDRAPOLL ishte:

Shqipëria ka sot dy-tre parti politike kryesore dhe pastaj një numër të madh partish të tjera të cilat kanë peshë të vogël në elektorat. Duke menduar për skenën politike shqiptare dhe për ndjenjën tuaj të përfaqësimit nga partitë aktuale, a do të thoshit se?

Grafiku i rezultateve

Vetëm 13% e të anketuarve të këtij grupimi deklarojnë se ndihen të përfaqësuar nga një parti politike ekzistuese dhe për të do të votonin sot. Nëse i shtojmë kësaj edhe 33% të cilët pavarësisht se nuk ndihen TËRËSISHT të përfaqësuar nga asnjë parti, përsëri do të votonin për njërën prej tyre të cilën e ndjejne më afër, atëherë rezulton se vetëm 46% e kësaj grupmoshe do të votonte sot për një parti politike ekzistuese. Shumica e “mijëvjeçarësve” (54%) nuk do të votonin sot për asnjë parti politike.

Rezultatet tregojnë se partitë politike në Shqipëri përballen me një ndjesi te madhe “mospërfaqësimi” që ka ky grupim në lidhje me to.  Rreth 43% e tyre deklarojnë se nuk ndihen “FARE të përfaqësuar” dhe një pjesë tjetër prej 44%, deklarojnë se nuk ndihen “TËRËSISHT të përfaqësuar” nga partitë ekzistuese politike.

 

Gjithsej kësaj ankete iu përgjigjën 510 panelistë. Për të siguruar që rezultatet të jenë përfaqësuese, është aplikuar peshim sipas qarkut, zonës së banimit, moshës dhe gjinisë. Theksohet se rezultatet e paraqitura për këtë anketë janë përfaqësuese vetëm për moshat 18 – 45 vjeç. Toleranca e gabimit për këto rezultate duke ju referuar vetëm kësaj moshe (18 – 45 vjeç) është ±4.2% me interval besueshmërie 95%).

 

 *Tentativë shqipërimi për termin Millenials

[1] Në fakt ka shumë përkufizime mbi moshën e tyre. Për këtë rast është konsideruar një prej përkufizimeve më të përdorur.

 

© 2018 IDRA Research & Consulting