Rezultatet

logo logo logo

< Faqja e mëparshme

31/03/2020
Ndikimi i situatës së COVID-19 në financat e qytetarëve
Në Rezultatet

Në vazhdimësi të anketimeve të kryera mbi situatën e COVID-19, IDRAPOLL kreu një tjetër hulumtim duke përdorur panelin online.

Pyetja që u hodh në panel ishte: Duke menduar për situatën e tanishme të COVID-19, në një shkallë nga 1 deri ne 10, ku 1=Ndikim SHUMË NEGATIV dhe 10=Ndikim SHUMË POZITIV, si mendoni se do të ndikojë kjo situatë në financat e FAMILJES suaj?

Për shkak të analizës shkallën e vlerësimit nga 1 në 10 e kemi transformuar në pesë kategori të ndryshme: ku 1 dhe 2 nënkuptojnë “shumë negativ”, 3 dhe 4 “negativ”, 5 dhe 6 “neutral”, 7 dhe 8 “pozitiv”, 9 dhe 10 “shumë pozitiv”.

Qëllimi i këtij hulumtimi ishte të shikonim vlerësimet që vijnë nga qytetarët mbi pritshmërinë që ata kanë për ndikimin e kësaj situate me masa kufizuese ndaj financave të familjes së tyre. Duhet patur parasysh që pyetja është bërë për financat e familjes dhe jo për ato personale.

Kampioni i përftuar është N=681, i peshuar në lidhje me urbanitetin, qarkun, gjininë dhe moshën në mënyrë që rezultatet të jenë përfaqësuese për moshën 18-54 vjeç. Toleranca e gabimit për këtë kampion është 3.8%.

Rezultatet tregojnë se pritshmëria e qytetarëve të këtij kampioni është përgjithësisht negative. Rreth 70% e të anketuarave thonë që ndikimi mbi financat e familjeve të tyre do të jetë Negativ. Në një vështrim më të thellë, pothuajse 1 ne 2 qytetarë (48%) thonë se ndikimi do të jetë “shumë negativ”. Ndërkohë, 22% e të anketuarve thonë se nuk presin ndonjë ndikim në financat e familjes nga kjo situatë kurse vetëm 8% deklarojnë se presin ndikim pozitiv.

Të dhënat tregojnë se pritshmëria është e ngjashme në proporcione si për ata që banojnë në zonat urbane dhe për ata në zonat rurale.

 

Më tej, anketa tregon se gratë duken se janë “më të shqetësuara” se burrat në lidhje me ndikimin mbi financat familjare. Rreth 76% e grave deklarojnë se situatë do të ketë ndikim negativ kundrejt 68% të burrave.

Të anketuarit janë kategorizuar në 3 grupe të mëdha sipas të ardhurave: të ulëta, mesatare, të larta (ky grupim bëhet përmes një pyetje indirekte që u drejtohet panelistëve në lidhje me aftësinë e blerjeve që kanë në muaj) dhe pastaj të dhënat janë kryqëzuar me përgjigjet e pyetjes mbi ndikimin e situatës në financa e familjes. Pothuajse të gjitha grupet deklarojnë pritshmërinë negative por ka diferenca midis tyre.  Është interesante të shihet se ata që kategorizohen me “të ardhura mesatare” deklarojnë një pritshmëri më të madhe për ndikim negativ sesa ata që janë me “të ardhura të ulëta” (76% me 68% përkatësisht). Një tezë për ta interpretuar këtë rezultat është ajo se nga informacioni i dalë në publik, duket se paketa e qeverisë për ekonominë në ketë situatë, nuk e trajton mjaftueshëm “shtresën e mesme” por ka një fokus më së shumti tek shtresa me të ardhura më të ulëta (duke konsideruar edhe pagesën që sigurohet, e cila është në nivelin e pagës minimale).

Një tjetër rezultat interesant është pritshmëria shumë negative e atyre që deklarohen si të vetëpunësuar. Rreth 94% e kësaj kategorie në anketë deklarojnë se financat familjare të tyre do të ndikohen negativisht (71% “shumë negativisht” dhe 23% “negativisht”). Kjo shtresë është ndoshta më e prekura nga situatë e masave kufizuese. Duke qenë se pyetjes së shtruar nga IDRApoll iu përgjigjën 47 të vetëpunësuar, i kujtojmë lexuesit se rezultatet që interpretojmë për këtë kategori janë indikativë dhe jo shumë solide nga pikëpamja statistikore.

 

 

© 2018 - 2020 IDRA Research & Consulting