Rezultatet

logo logo logo

< Faqja e mëparshme

10/05/2019
Përdorimi i Internetit në Shqipëri, me rritje të shpejtë!
Në Rezultatet

Interneti, mënyra e përdorimit, arsyet e përdorimit apo të tjera të dhena që tregojnë raportin e shqiptarëve me botën online ishin pjesë e anketës së radhës të realizuar nga IDRA Research & Consulting. Ky lloj studimi, rikthehet mbas valës së parë të realizuar në vitin 2016 dhe na zbulon disa trende interesante të zhvillimit të këtij sektori në territorin shqiptar.

Janë 63% e shqiptarëve te cilët deklarojnë se përdorin internetin, ndryshe nga dy vjet më parë ku deklaroheshin si përdorues vetëm 49% e tyre. Rritje të theksuar me 10 pikë përqindje në përdorimin e internetit vihet re në zonat rurale.

Akoma më i shpejtë duket penetrimi i smartphonave në familjet shqiptare. Në vitin 2016 vetëm 40% e tyre deklaronin se kishin një smartphone, ndërsa dy vjet më vonë janë 64% e të anketuarëve që zotërojnë një të tillë.

Në rritje shfaqet edhe numri i personave që kanë një lidhje interneti në shtëpi, nga 37% në 2016 në 44% në vitin 2018. Një rritje e cila e krahasuar me trendet e mësipërme, pra atë të përdorueseve të internetit apo atyre që zotërojnë një smartphone është më e ulet, dukshëm edhe si pasojë e penetrimit më të shpejtë dhe me kosto më të ulët të internetit mobile.

Po ti kthehemi arsyeve pse shqiptarët përdorin internetin, nuk gjejme surpriza:

Përqindja më e lartë e përdorimit të përditshëm të internetit është për tu bërë pjesë e rrjeteve sociale (59%) të ndjekura nga përdorimi për telefonata ose video thirrje (38%) dhe së fundmi për të shkarkuar, parë ose dëgjuar muzikë dhe filma  (24%).

Fakt interesant është se përdorimi i internetit në Shqipëri e kalon me 10 pikë % mesataren botërore – 63% e popullsisë në Shqipëri është përdoruese internet kundrejt mesatares botërore që është vetëm 53%*

Ky anketim është realizuar nëpërmjet një kampionimi përfaqësues kombetar të përbërë nga 2000 të anketuar me ane te metodes balle per balle. Marzhi i gabimit për këtë anketim është +- 2.2 % me nje interval besueshmërie 95%.

*2018 Global Digital grup raportesh nga “We Are Social” and “Hootsuite”