Rezultatet

logo logo logo

< Faqja e mëparshme

24/03/2020
Si po ndryshon sjellja e qytetarëve si pasojë e COVID-19?
Në Rezultatet

IDRAPOLL gjatë ditëve 22-23 mars, hodhi në platformë një pyetje që kishte si qëllim të eksploronte ndryshimet e mundshme të sjelljes së qytetarëve si rrjedhojë e situatës së krijuar nga COVID-19. Pyetja i drejtohej qytetarëve në lidhje me aktivitetet e tyre PERSONALE ditore dhe ata mund të zgjidhnin nga një bateri alterantivash nëse ishin të vërteta për rastin e tyre apo jo.

Kampioni i përftuar është N=803, i peshuar në lidhje me urbanitet, qark, gjini dhe moshë në mënyrë që rezultatet të jenë përfaqësuese për moshën 18-54 vjeç. Toleranca e gabimit për këtë popullsi është 3.5%

Rezultatet e anketës tregojnë se me së pari qytetarët kanë “aktivizuar” distancimin social, një nga udhëzimet më të rëndësishme për të luftuar virusin. 8 në 10 qytetarë të kësaj moshe (18-54 vjeç) deklarojnë se në këto ditë “i shmangen grupeve të njerëzve/afërsisë me njerëzit”. 3 në 4 qytetarë (75%) deklarojnë se “qëndrojnë në shtëpi dhe vetëm me raste të rralla dalin jashtë”. Po kaq (74%) deklarojnë se këtë periudhë “lajnë duart më shpesh se më parë”.

Situata me disa udhëzime të tjera është pak më ndryshe. Vetëm 57% e tyre deklarojnë se “përdorin dezinfektues duarsh shpesh”. 1 në 2 deklaron se “dezinfekton amnbjente/veshje në shtëpi” megjithëse ky aktivitet mund të mos konsiderohet individual pasi në një familje mund të jetë një person që mund ta kryejë këtë për gjithë familjen dhe jo secili.

Vetëm 38% e të anketuarve deklaron se “përdor maska sa herë që del jashtë” dhe më pak se kaq (30%) deklarojnë se “vendosin dorashka sa herë që dalin jashtë”. E vërteta është që edhe udhëzimet /këshillat për këto dy aktivitete kanë qenë shpeshherë kontradiktore mbi vlefshmërinë (maska psh. është këshilluar shpesh që të përdoret vetëm nga ata që kanë simptoma, kurse dorezat janë kundërshtuar herë pas herë në lidhje me vlerën që kanë nëse mbahen dhe po me to preket fytyra).

Janë 32% e të anketuarve që deklaron se në këtë situatë “po punon nga shtëpia për një pagesë”. Kjo shifër merr parasysh kampionin e pyetur, i cili përmban edhe ata që janë momentalisht të papunë, shtëpiake, student etj. Nëse konsiderojmë vetëm ata që “para nisjes së situatës së emergjencës” ishin të punësuar dhe që banojnë aktualisht një një zonë urbane (pra përjashtuar ata që banojnë në fshat ku punësimi është thelbësisht aktivitet bujqësor), rezulton se rreth 43% e tyre punojnë nga shtëpia përkundrejt një pagese. Kjo shifër arrin në 48% për rastin e atyre që punojnë në sektorin publik, ndërkohë 38% për ata që punojnë në sektorin privat.

Porositja/Blerja e ushqimeve online është shumë e ulët pothuajse në nivelet e tolerancës së gabimit të anketës. Vetëm 3% e të anketuarve deklarojnë se e kryejnë këtë aktiviet përmes internetit.

Kur vlerësohen rezultatet sipas gjinisë, qartazi në të gjitha aktivitetet e përmendura, gratë kanë një intensitet më të madh të përdorimit të tyre se sa burrat. Ndërgjegjësimi më i madh i grave për këtë situatë dhe për masat që duhen zbatuar, konfirmohet edhe nga kjo anketë në të gjitha nuancat e ndryshimit të “sjelljes sociale”. Diferencat midis gjinive variojnë nga 13% deri në 34% për aktivitete të ndryshme.

Disa nga aktivitetet e përmendura janë deklaruar me intensitet më te lartë nga moshat 45-54 vjeç krahasuar me moshat me të reja. Kështu psh 68% e kësaj moshe deklarojnë se “përdorin maska sa herë që dalin” krahasuar 45% të moshës 30-44 vjeç dhe 25% tç moshës 18-29 vjeç. Po kështu në lidhje me dezinfektimin e ambjenteve/veshjeve në shtëpi.

Në përgjithësi, duket se ka një nivel të madh përshtatjeje të sjelljes së qytetarëve në këtë situatë, megjithëse situata të tilla kërkojnë ndërgjegjësim maksimal të popullsise. Ndikimi negativ në përhapje të infeksionit mund të vijë edhe nga segmente në minorancë të popullsisë që akoma vazhdojnë me “sjelljen” a para-pandemisë.

 

© 2018 - 2020 IDRA Research & Consulting