Rezultatet

logo logo logo

< Faqja e mëparshme

27/03/2020
Si po ndryshon sjellja e qytetarëve të Kosovës si pasojë e COVID-19?
Në Rezultatet

Më 22-23 mars, në platformën IDRApoll parashtruam një pyetje që synonte të zbulojë ndryshimet e mundshme të sjelljes së qytetarëve të Kosovës, si rrjedhojë e situatës së krijuar nga COVID-19. Pyetja i drejtohej qytetarëve në lidhje me aktivitetet e tyre PERSONALE ditore dhe ata mund të zgjidhnin një sërë alterantivash nëse ishin të vërteta për ta.

Numri i të anketuarve është 203, të dhënat për të cilët janë peshuar sipas rajonit, gjinisë dhe moshës në mënyrë që rezultatet të jenë përfaqësuese për moshën 18-44 vjeç. Toleranca e gabimit për këtë popullsi është 6.8%.

Rezultatet e anketës tregojnë se qytetarët e Kosovës të moshës 18 deri në 44 vjeҫ po i përmbahen mjaft mirë këshillave të institucioneve të vendit për mbajtjen e distancës fizike, kujdesit ndaj higjienës më të madhe personale si dhe vetë-karantinimit. Në fakt, afërsisht 8 në 10 qytetarë të këtij grupi të popullsisë deklarojnë se në këto ditë  i shmangen grupeve të njerëzve apo afërsisë me ta, lajnë duart më shpesh se më parë dhe qëndrojnë në shtëpi e dalin vetëm në raste të rralla. Pothuajse po aq rëndësi i kushtojnë edhe dezinfektimit të duarve, ku 7 në 10 nga qytetarët deklarojnë të përdorin dezinfektues duarsh shpesh.

Ndërsa sa i përket aktiviteteve të tjera që rekomandohen, situata është pak më ndryshe. Në lidhje me dezinfektimin e ambienteve apo veshjeve në shtëpi, vetëm 1 në 2 persona deklarojnë ta bëjnë këtë, megjithëse ky aktivitet mund të mos konsiderohet individual edhe të kryhet nga ndonjë anëtar tjetër i familjes dhe jo nga i/e anketuari/a.

Vetëm 44% e të anketuarve deklarojnë se përdorin maska sa herë që dalin jashtë dhe 41%  deklarojnë se vendosin dorëza sa herë që dalin jashtë. Por, duhet theksuar se këshillat për këto dy aktivitete shpeshherë nuk kanë qenë në pajtueshmëri, ku me raste maska është këshilluar shpesh që të përdoret vetëm nga ata që kanë simptoma, kurse dorëzat janë kundërshtuar herë pas herë në lidhje me vlerën që kanë nëse mbahen. Ndërkaq, vetëm 9% e të anketuarve deklarojnë se porosisin apo blejnë ushqim përmes internetit.

Kur vlerësohen rezultatet sipas gjinisë, ka ndryshime sa i përket aktiviteteve personale që i ndërmarrin në situatën e tanishme. Në të shumtën e aktiviteteve të radhitura burrat dalin të jenë më të prirur për t’i ndërmarrë këto aktivitete. Një dallim më i thellë është në punën nga shtëpia, ku 38% e burrave krahasuar me 19% e grave deklarojnë se punojnë nga shtëpia për një pagesë – që mund të jetë edhe si rezultat i vetë punësimit të vogël të grave në përgjithësi. Pastaj, del se burrat e anketuar janë më të kujdësshëm në vendosjen e dorëzave ku 48% e tyre dhe 34% e grave e bëjnë këtë aktivitet. Më shumë burra sesa gra i lajnë duart më shpesh se më parë (kjo mund të jetë ngase gratë mund t’i kenë larë duart majftueshëm dhe më parë kurse burrat jo) dhe i shmangen grupeve të njerëzve apo afërsisë me ta. Ndërkaq, gratë priren më shumë se sa burrat të dezinfektojnë ambiente dhe veshje si dhe të qëndrojnë në shtëpi. Po ashtu edhe duke dalë në raste më të rralla se sa burrat.

Disa nga aktivitetet e përmendura ndërmerren më shumë nga qytetarët e grupmoshës 30-44 vjeç dhe disa nga grupmosha 18-29 vjeҫ. Kështu, për shembull, grupmosha 30-44 vjeҫ janë të prirur më shumë të vendosin dorëza (45%) dhe përdorin maska sa herë që dalin jashtë (47%) apo edhe të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm me raste të rralla (88%). Ndërsa, grupmosha 18-29 vjeҫ porosisin ushqim online më shpesh (15%), dezinfektojnë ambiente dhe veshje në shtëpi (55%)  si dhe përdorin dezinfektues duarsh shpesh më shumë (76%).

Në përgjithësi, duket se ka një nivel të madh përshtatjeje të sjelljes së qytetarëve në këtë situatë, megjithëse situata të tilla kërkojnë ndërgjegjësim maksimal të popullsisë. Ndikimi negativ në përhapje të  coronavirusit mund të vijë edhe nga segmente në pakicë të popullsisë që akoma vazhdojnë me “sjelljen” a para-pandemisë.Bottom of Form

 

© 2018 - 2020 IDRA Research & Consulting